Përmbledhje: Qasja në financim në fazat e hershme të një startup-i

Financimi i një ideje është një pjesë thelbësore e një zhvillimi të mëtejshëm të një startup-i, ku për shumë nga këto ndërmarrje, një financim i hershëm dhe i strukturar mirë shërben si gurthemel për një zhvillim afatgjatë. Duke pasur këtë në mendje, me 29 mars, 2018, Rrotull me sukses realizoi eventin e parë në bashkëpunim me ICK-në, ku diskutuam mbi mënyrat e financimit dhe rëndësinë e krejt këtij procesi për bizneset e reja dhe për ndërmarrësit/et e ardhshme. Me një panel të përbërë nga z. Besim Beqaj, Ministër i Ministrisë së Ndërmarrësisë dhe Inovacionit, z.Mergim Cahani, CEO dhe themelues i Gjirafës, dhe z.Rron Cena, bashkëthemelues i kompanisë Formon, folëm më shumë rreth mundësive të krijuara dhe lehtësirave administrative dhe financiare që Qeveria ka në planin e saj të punës, njohurive teknike që duhet pasur për përvetësimin e fondeve investuese dhe pamë e dëgjuam nga afër sukses storjet e kompanive përfaqësuese drejt rrugëtimeve të tyre të suksesshme të financimit.

Ngjarjen e hapi Rrotull me një mini-prezantim për rëndësinë e financimit tek bizneset startup ku përmendëm që për nga vështirësitë e të bërit biznes, një arsye e tillë listohet në top 3 vendet e para. Por, për të ditur më detajisht ndjeshmërinë e problemit që eventi kishte për qëllim ta adresojë, foli më shumë Ministri Beqaj, ku spjegoi që ekziston një mungesë e një kornize ligjore e cila përkrah paralelisht zhvillimet e fundit inovative në vend, kjo për faktin që ky trend po ec me hapa shumë të shpejtë. Ministri po ashtu theksoi që institucioni që ai udhëheq tashmë është në përgatitje e sipër të një strategjie për ndërmarrësi dhe inovacion, strategji kjo kombëtare, e hartuar më ndihmën e ekspertëve ndërkombëtarë. Kjo strategji në fund do të rezultoj me ligjin për ndërmarrësi dhe inovacion, ku si strukturë bazë do të ketë akte nënligjore me tematikë startup-et, dhe llojet e financimit sikurse: crowdfinancing dhe engjujt biznesorë. E sado që politikë-bërja është objektiv i përgjithshëm për ministrinë, Ministri Beqaj përmendi edhe intervenimet praktike nëpërmjet fondit prej 7 milionë Eurosh të dedikuara si subvencione dhe grante të ndara për OJQ-të, bizneset startup, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, dhe inovatorët individualë. Përveç kësaj, ekziston edhe një fond prej 2 milionë Euro shtesë për investime kapitale, i cili ka për qëllim krijimin e disa qendrave strehuese për biznese dhe ndërmarrës, prej fazës së para-inkubimit e deri tek akselerimi. Një hap i tillë tregon Ministri veçse është ndërmarrur nga Ministria, ku nga data 1 janar 2019, kampi i KFOR-it në Prizren do të transformohet në park për inovacion dhe trajnim, hapësirë kjo prej 39 hektarëve, ku si sfidë në vete sipas Ministrit Beqaj shihet të jetë popullimi i kësaj qendre. Për faktin që edhe vet Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë shihet si një “institucion startup”, identifikimi dhe vlerësimi i përfituesve të granteve dhe subvencioneve do të ndihmohet nga akterë të sektorit privat dhe partnerëve ndërkombëtar sikurse GIZ dhe USAID. Diskutimi mbi temën e eventit morri një kahje edhe më praktike kur Rron Cena tregoi storjen e kompanisë drejt gjetjes së financimit. Për të, qasja në financim nuk ka qenë e centralizuar si ide në fillet e para, ku edhe perceptimi i produktit ka qenë si rezultat i perceptimit të tregut të asaj kohe, treg ky i prodhimit të printerave 3D i cili është edhe fushëveprimi i vet kompanisë. Rroni përmend validimin e tregut si parakusht për financim, ku pas 1 viti e gjysmë kërkimi, rrugëtimi i tyre rezultoi i suksesshëm me identifikimin dhe gjetjen e një investitori nga diaspora Kosovare në Gjermani, i cili shprehu gatishmërinë për t’iu bashkëngjitur kompanisë. Nga krejt ky rrugëtim, Rroni përmend që një proces i tillë nuk është aq mekanik siç mendohet, por është më subjektiv e më human.

 

Kjo paraqitje diapozitivash lyp JavaScript.

Kur flasim për investimet e përfituara dhe krijimin e një standardi për t’u përcjellur nga kompanitë e tjera me fushëveprim ekonominë e internetit, nuk ka se si të mos përmendim Gjirafën. Mergim Cahani, CEO dhe themelues i kompanisë, tha që sipas tij për mbi 50% e startup-ve në Kosovë, financimin e shohin si problemin kryesor. Mergimi përmend interesin personal të ndërmarrësit i cili duhet llogaritur si faktor tejet i rëndësishëm për shtyerjen e e idesë përpara, ku investimi personal, qoftë në kohë apo para, tregon besueshmërinë tek vet ideja apo biznesi i individit ndërmarrës. Storja e Gjirafes për shumë kohë është bazë dhe shembull për kompanitë e tjera, por shkuarja në Pragë parimisht sipas Mergimit ka qenë për të bindur investitorët mbi idenë e Gjirafës, atëbotë krijimi i një makine kërkimore në Shqip, ide kjo e nxitur nga “neglizhenca” e Google për tregun shqiptar me nënproduktet e saj: google adsense, google maps, dhe hartimin e bizneseve dhe profileve të tyre. Mergimi tregoi që sot, 11 individivë, të gjithë investitorë të akredituar, ku 2 prej tyre shqiptarë ndërsa të tjerët nga SHBA dhe Çekia, kanë kontribuar me një investim total prej 3.5 milionë eurove në kompani, ku seria B e investimeve veçse është në proces e sipër. Mergimi tha poashtu që ka mirëpritur krijimin e një institucioni sikurse Ministria e Ndërmarrësisë dhe Inovacionit, ku pret që politikat dhe intervenimet e kësaj ministrie të kenë një domino efekt në ekonominë e Kosovës. Një efekt i tillë sipas Ministrit Beqaj, pritet të marrë formën e tij diku nga pjesa e dytë e këij viti, kohë kjo kur Ministria planifikon disbursimin e mjeteve për grante e subvencione. Një lajm i mirë për ekosistemin e ndërmarrësisë dhe jo vetëm sipas Ministrit, është edhe aprovimi i GIZ-it për dhënjen e donacioneve në parimin e paritetit 1 me 1, ku fondit prej 7 milionë Eurove nga Ministria, po aq do t’iu shtohen edhe nga GIZ. Një fond i përbashkët do të rrisë gjasat për një ndryshim më thelbësor në tregun kosovar, ku për më tepër do të formësohej një identitet ekonomik i Kosovës, diçka që për momentin është i pastrukturuar mirë, e me raste edhe inekzistent.

Përgjatë diskutimit, u fol se sa është e nevojshme që iniciativa për gjetjen e financimit të jetë e centralizuar dhe e koordinuar mirë me institucione përkatëse. Por, Rroni vlerëson edhe iniciativën personale, ku siç thotë ai, është detyrë e ndërmarrësit të nisesh në parimin e individit për fillimin e biznesit. Në anën tjetër, Mergimi përmendi po ashtu disa indikatorë të cilët janë të standardizuar nga kompanitë VC, trende të caktuara rritjesh si në shitje ashtu edhe në ekspozim të tregut të cilat shërbejnë si një prag për konsiderim të një investimi milionësh. Mënyra më e mirë dhe më efektive është të vazhdojmë së kërkuari investimin për zhvillimin e kompanisë, pasi që në fund të fundit sipas Mergimit janë njerëzit ata të cilët shesin dhe jo vet produktet.

Në fund, eventi u përcoll me pyetje nga publiku ku interesimi për temën me bashkëfolësit vazhdoi edhe në koktejin e organizuar e mundësuar nga Trosha, partneri ynë, së bashku me GjirafaVideo e cila mundësoi transmetimin nëpërmjet livestream-it në rrjetet sociale. Ne, shihemi herën tjetër me tema e panelistë të tjerë, por me përkushtimin e njejtë për të qenë pikë referuese për ekosistemin e ndërmarrësisë!

Ngjarjen e plotë mund ta shihni në Gjirafa Video duke klikuar këtu.

2 mendime mbi “Përmbledhje: Qasja në financim në fazat e hershme të një startup-i

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s